Presidenti amerikan Donald Trump thotë se ndan mendime të ngjashme me personin që ka zgjedhur për postin e kryediplomatit të vendit, drejtorin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit (CIA) Mike Pompeo.

Shtëpia e Bardhë parasheh një rol kyç të Sekretarit të Shtetit në bisedimet e profilit të lartë mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

“Presidenti donte të sigurohej që ekipi i tij i ri të jetë i gatshëm para bisedimeve të ardhshme me Korenë e Veriut, dhe negociata të ndryshme tregtare në vazhdim”, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë të martën.

Pompeo do të duhet të presë deri në prill që të konfirmohet në postin e sekretarit të shtetit, por ka gjasa të nisë përgatitjet e duhura para takimit të nivelit të lartë.

Gjatë një interviste të dielën për kanalin televiziv “Fox News”, zoti Pompeo vlerësoi fushatën e “presionit maksimal” ndaj Koresë së Veriut për të bërë të mundur idenë e takimit Trump-Kim.

Loading...