Ditën e nesërme, 22 Mars, besimtarët bektashinj festojnë “Ditën e Nevruzit” ose “Dita e Sulltan Nevruzit”, që njihet si festë zyrtare në vendin tonë.

Dita e Nevruzit, shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashi dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.

Në Shqipëri, Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, është dekretuar si festë kombëtare 16 vite më parë. Sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë Luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emer nga themeluesi i saj, Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare, bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit. Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare.

Pas Kongresit të Lushnjës, bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Loading...