Shkruan: Xhelal NEZIRI

I mërzitur nga mashtruesit dhe gënjeshtarët që hynë në portat e qytetit të tij dhe shkaktonin telashe, Sulltani mori një vendim radikal: vendosi ushtarë në të gjitha hyrjet dhe urdhëroi që t’i varrin të gjithë ata që do të gënjejnë për të hyrë në qytet.

Fshatarët u frikësuan nga ky vendim dhe nuk udhëtonin më në qytet. Vetëm Nasradini nuk e vrau shumë mendjen. Ai shaloi gomarin e tij dhe u nis për në qytet.

Në portë një roje e ndaloi dhe e pyeti qëllimin e tij pse dëshiron të hyjë në qytet. Para se të dëgjojë përgjigjen, ushtari e paralajmëroi Nasradinin që të tregojë drejtë se përndryshe do të duhet ta varë.

Pasi e dëgjoi, Nasradini u përgjigj: “Ky vendim qenka i mirë për mua sepse qëllimi i ardhjes time në qytet është të varem”.

“Ti qenke gënjeshtar, andaj do të varesh!”, tha roja e sulltanit me një zë të lartë.

“Pasi ti thua se do të varem, atëherë unë kam thënë të vërtetën. Prandaj më lejo të hyjë në qytet”, tha Nasradini.

Kjo është një situatë ku edhe Nasradini ka të drejtë, por edhe roja.

Shpesh ballafaqohemi me një situatë të këtillë edhe në skenën politike, ku edhe njëra edhe tjetra palë ka të drejtë, pavarësisht se nga cili kënd e vështrojmë gjendjen.

Në këtë kontekst mund të shihet edhe deklaratë e liderit të Aleancës Shqiptare (ASH), menjëherë pas rizgjedhjes në krye të partisë. Ai u ankua se ndryshimet demokratike kanë ndodhur vetëm në pjesën etnike maqedonase, por se asgjë nuk ka ndryshuar në pjesën etnike shqiptare. Deklarata e tij kishte të bëjë me faktin se VMRO-DPMNE-ja shkoi në opozitë dhe në qeveri u fut LSDM, por BDI ishte qeveri dhe mbeti qeveri, njëjtë si opozita që ishte opozitë dhe mbeti opozitë. Ka plotësisht të drejtë në këtë tezë.

Nga ana tjetër, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, edhe para zgjedhjeve parlamentare të 2016-ës, u bëri thirrje partive opozitare shqiptare të bashkohen në një koalicion me qëllim që të mos përçahet vota dhe votuesit. Ka nga ata që shohin mungesë sinqeriteti në këtë deklaratë, por në fakt ishte kjo formula që shpinte opozitën të bëhet pushtet. Deklarata e Ahmetit ishte në kuptimin se pa fitore në zgjedhje dhe pa numrin e nevojshëm të deputetëve asnjë opozitë nuk mund të bëhet pushtet. Pra, edhe Ahmeti ka plotësisht të drejtë.

Rigrupimi i partive politike shqiptare është tani një nevojë e pashmangshme me qëllim që të dilet nga kjo situatë e çuditshme, ku të gjithë kanë të drejtë dhe të gjithë janë fajtorë njëkohësisht. Kongresi i ASH-së dhe i dy BESA-ve nuk japin sinjale të qarta se ky transformim politik do të mund të ndodhë në një të ardhme të afërt. Ndërkohë, lufta politike e fraksioneve brenda BDI-së mund ta komplikojnë edhe më shumë këtë gjendje.

Loading...
  ga('create', 'UA-63475902-1', 'auto', {'name': 'newTracker'});  // New tracker.   ga('send', 'pageview');   ga('newTracker.send', 'pageview'); // Send page view for new tracker.