Është normalizuar komunikacioni në drejtimin rrugor Kumanovë – Kriva Pallankë – VK Deve Bair, pas bllokimit dyorësh afër lokalitetit Gramagje, nga ana e ish-të punësuarve në fabrikën e tekstilit “Veibo grup”.

Bllokimi pason pas premtimeve të papërmbushura nga ana e kryesisë së “Veibo grup” për pagesë të tre rrogave të mbetura, kontributeve dhe orëve jashtë orarit të punës.

Punëtorët rreth dy javë vazhdimisht janë në rrugë, me organizim të përditshëm të bllokimit të magjistrales A2. Ata janë të vendosur t’i kërkojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre të punës.

Bllokimi shkaktoi kolona kilometërshe në të dy drejtimet, ndërkaq u lëshuan vetëm automjetet e Ndihmës së shpejtë mjekësore.

Nga ana e Këshillit inicues të “Veibo grup” paralajmëruan se edhe nesër prej orës 12 deri në orën 14 sërish do ta bllokojnë rrugën në lokacionin e njejtë, në rreth rrotullimin afër hyrjes në Kriva Pallankë dhe, siç thonë, bllokimet do të vazhdojnë derisa nuk zgjidhet problemi i tyre dhe derisa presonat udhëheqës, përkatësisht ekipi menaxhues i “Veibo grup”  nuk u përgjigjet kërkesave të tyre.