Gjykatësja Sofçe Gavrillova Efremova e ndërpreu seancën e sotme për lëndën e PSP-së “Tarifa”, në të cilin janë të akuzuar ish-drejtori i SHA “ELEM” Dejan Boshkovski dhe dy persona të tjerë, pasi dëshmitari i dytë Vllatko Çakarovski iu përkeqësua gjendja gjatë dhënies së deklaratës. Gjykimi do të vazhdojë më 1 mars.

Çakarovski është dëshmitar edhe i PSP-së dhe i mbrojtjes. Ai është i punësuar në ELEM, ndërsa ka qenë anëtar i grupit të punës për implementim të ERP sistemit. Ai tha se edhe dje nuk është ndjerë mirë dhe se mjeku i ka propozuar pushim mjekësor.

Paraprakisht gjykatësja i tha dëshmitarit të tretë se mund të shkojë dhe të vijë më 1 mars, duke e pasur parasysh dinamikën e dhënies së deklaratave

Mbrojtja e të akuzuarve tha se me 160 dëshmitarë do të dëshmojë se klientët e tyre janë të pafajshëm.

Paraprakisht dy orë u mor në pyetje dëshmitari Zharko Milenkovski. Firma e Milenkovskit ka marrë pjesë si partner në konsorciumin për furnizim të softuerit për ERP sistemin për nevojat e SHA “ELEM”. Dëshmitari tha se firma e tij duhej të marrë pjesë në implementimin e modulit për menaxhim të dokumentacionit të sistemit.

Gjykimin sot e ka ndjekur një përfaqësues i Ambasadës së SHBA-së.

Dejan Boshkovski dhe dy të akuzuarit e tjerë ngarkohen për furnizim kundërligjor të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “ELEM”, në vlerë rreth katër milionë eurosh.

Prokurorët e PSP-së thanë se do të dëshmojnë se tre të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin. Të akuzuarit madje u prononcuan se nuk janë fajtorë.

Sipas elaborimit të PSP-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin në procedurë për furnizim publik të softuerit – “ERP sistem”. Të akuzuarit me mosrealizim të detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e ka fituar tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negocimit gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk ka dorëzuar dokumentacion të kompletuar.