...shpejt dhe ndryshe...

Gjykimi për “Dhunë në Qendër” do të vazhdojë më 18 dhjetor

Gjykimi për lëndën e PSP-së “Dhunë në Qendër” do të vazhdojë më 18 dhjetor, kumtoi gjykatësja Tatjana Mihajllova pas seancës së sotme në të cilën dëshmoi ish-kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski.

Zhernovski tha se protestat para komunës më 13 qershor të vitit 2013 te ai shkaktuan ndjenjë të frikës dhe pasiguri dhe se ishin penguar të dalin nga barakat.

“Jetët tona ishin në rrezik. Ishte e qartë se ekzistonte komunikim midis këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, MPB-së dhe qytetarëve që protestuan”, tha Zhernovski.

Shtoi se këshilltarja e VMRO-DPMNE-së Daniella Rangellova e ka thirrur të dalë jashtë dhe të ballafaqohet me qytetarët e grumbulluar.

Zhernovski para gjykatës tha se te ai në zyrë kishin ardhur ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues të OSBE-së të cilët, siç shtuan, përmes kanaleve të tyre bënë thirrje të ndërpriten protestat.

“Jam i bindur se pa praninë e tyre incidentet do të vazhdonin”, tha Zhernovski.

Prokurorja Fatime Fetai në gjykim reagoi për shfrytëzimin e telefonit celular nga ana e Nikolla Gruevskit. Tha se pikërisht asaj në seancën e kaluar i është vënë në dukje se në gjykim shfrytëzon telefon celular.

Gjykatësja Mihajllova në këtë u përgjigj se do të urdhërojë që telefonat celularë të mblidhen nëse nuk shkyçen.

Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Dhunë në Qendër” në Gjykatën penale xhirohej me kamera.

Gjykatësja në fillim të seancës deklaroi se gjykimi xhirohet me kamera dore, por vetëm xhirim vizual, e jo edhe incizim tonik.

Avokati i të akuzuarve, Dimitar Dangov, reagoi pse po mbahen procesverbale në kompjuter kur seanca xhirohet me kamera. Ai në fillim të gjykimit kërkoi të gjitha procesverbalet e deritanishme nga seancat gjyqësore të nënshkruhen nga palët që të mund të kenë veprim juridik.

Në seancat paraprake, siç publikoi MIA, fajin për ngjarjet para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013 e pranuan i akuzuari i katërt Tomisllav Llazarov dhe i akuzuari i pestë, Jordan Ristevski.

Në këtë lëndë janë akuzuar edhe 12 persona. Ata akuzohen nga PSP-ja për nxitje të dhunës që ka ndodhur gjatë protestave para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013.

Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e PSP-së dhe vendosi se në procedurën e dëshmimit mund të shfrytëzohen regjistrimet nga bisedat e përgjuara.