Makina merr përpara protestuesit në Sharlotsvil të SHBA-së (VIDEO)

Gjendje e jashtëzakonshme në Sharlotsvil Një 20-vjeçar nga Ohajo në SHBA është nën akuzë për vrasje, pasi e përplasi makinën e tij me protestuesit anti-fashistë në Sharlotesvil të Virxhinias. James Alex Fields Jr. vrau një grua dhe plagosi 19 persona të tjerë.

FBI-ja, Seksioni i të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë dhe Zyra e Prokurorit ka hapur një hetim për të drejtat civile lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias.

Guvernatori i Virxhinias u tha të shtunën supremacistëve të bardhë që ishin mbledhur në Sharlotsvil për të protestuar kundër heqjes së një statuje të Konfederatës, të “shkonin në shtëpi”, pas incidenteve të dhunshme. Përveç një gruaje të vrarë nga makina që goditi turmën, dy persona të tjerë gjetën vdekjen nga përplasja e një helikopteri, incident që policia tha se kishte lidhje me tubimin e protestës.

Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsvil pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja, dhe anti-protestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse. Presidenti Donald Trump, duke folur të shtunën vonë nga Nju Xhersi, dënoi “demonstrimin skandaloz të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga të gjitha palët,” në Sharlotsvil.