...shpejt dhe ndryshe...

Ushtria e BE-së është një hap pranë krijimit, pasi shefi i lartë i Bashkimit Europian bëri thirrje për krijimin e një akademie ushtarake. Nënkryetari i Parlamentit Europian, Alexander Graf Lambsdorff thekson se kërkon më shumë trajnime ushtarake të shteteve pjesë e BE-së.

Duke folur për gazetën “Neue Osnabrücker”, 50-vjeçari nënvizoi se: “Deri më tani në politikën europiane të mbrojtjes ka pak bashkëpunim, pasi njerëzit që veprojnë nuk e njohin njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një kolegj në nivel europian për trajnimin e stafit ushtarak, ku çdo i ri i cili zgjidhet për pozita të larta udhëheqëse, është i detyruar të jetë i trajnuar për gjashtë muaj me oficerë të tjerë nga forcat e armatosura europiane”.

Propozimet e Lambsdorff bartin një ngjashmëri me stërvitjen ushtarake në Britani ku Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Berkshire, e themeluar në vitin 1947, trajnon të gjithë oficerët në Ushtrinë Britanike dhe ka një reputacion botëror.

Kursi zgjat 44 javë dhe duhet të përfundohet me sukses nga të gjithë oficerët e rregullt të ushtrisë britanike (me disa përjashtime) para se të marrin notën pozitive.

Martin Schulz, kreu i Partisë Socialiste Demokratike (SPD), gjithashtu ka mbështetur formimin e një force të mbështetur nga Bashkimi Europian. Ish-Presidenti i Parlamentit Europian argumentoi në një artikull se: “Merkel dhe Bashkimi Kristian Demokratik bëhen të vegjël përballë Donald Trump kur u përgjigjen provokimeve të tij rreth objektivit dy për qind duke thënë: Mirë, mirë. Ne do të fusim më shumë para, sikur të mos kishim ide më të mira se çfarë të bëjmë”.

Hans-Peter Bartels, komisioneri i mbrojtjes në Gjermani, u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s në BE që të formojnë një forcë të vetme ushtarake.

Në ditën kur bisedimet e Brexit u zhvilluan, ai tha: “Në fund, do të ketë një ushtri europiane”. Bartels shtoi edhe se: “Ne jemi aktualisht të çorganizuar, teknikisht të fragmentuar. Ne nuk duam të shkojmë më poshtë në rrugën kombëtare të vetmuar. Jo në Gjermani, jo në Holandë, jo në Republikën Çeke dhe jo në Itali”.

Ndërkohë që Britania ka bllokuar në mënyrë të përsëritur masat për krijimin e një forme të mbrojtjes dhe politike të bashkuar, ka pasur thirrje në rritje brenda BE-së për një ushtri të vetme, me thirrjet që po përforcohen, veçanërisht nga Franca dhe Gjermania, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti NATO-n “të vjetëruar”.

Burimi: Daily Express/Përshtati: Redjon Shtylla/Koha Jonë