Çako: Bashkëpunimi me policinë e Maqedonisë shembull për policitë e tjera

Drejtori i policisë shqiptare, Haki Çako deklaroi  se bashkëpunimi ndërmjet policive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke përfshirë edhe policinë kufitare është i shkëlqyer dhe se mund të shërbejë si shembull për policitë e vendeve të tjera.

Ai e ka bërë këtë vlerësim pas vizitës në vendkalimin kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, në Qafë Thanë. Në këtë vizitë drejtori Çako nga afër është njoftuar me implementimin e masave për sezonin turistik, por para së gjithash për përforcimin e kontrollit gjatë daljes nga vendi të qytetarëve të Shqipërisë me qëllim të eliminimit të dukurisë së numrit të madh të azilantëve shqiptarë në BE.

“Bashkëpunimi me policinë e Maqedonisë është e përqendruar në parandalimin e krimit ndërkombëtar, krimit të organizuar të tregtisë joligjore të çfarëdo qoftë lloji. Bashkëpunimi ynë është i shkëlqyer dhe këtë policitë e vendeve të tjera mund ta përdorin si shembull”, thotë drejtori i policisë së Shqipërisë, Haki Çako.