...shpejt dhe ndryshe...

Qeveria e Maqedonisë ka paraqitur në Kuvend propozimin për rishikimin e buxhetit, me të cilin synon të zvogëlojë në masë të madhe harxhimet joproduktive, reklamat qeveritare, shpenzimet për udhëtime jashtë shtetit të zyrtarëve, e të gjitha këto me qëllim realizimin e projekteve të ekzekutivit të ri që drejtohet nga Zoran Zaev.

Nga partitë në pushtet, vetëm Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka paraqitur tri amendamente, e që kanë të bëjnë me rritjen e fondeve për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Shtëpinë e Alfabetit në Manastir dhe një amendament për Qendrën për menaxhim me kriza, që drejtohet nga kuadër i kësaj partie, njofton REL.

Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, me rishikimin e buxhetit parashikohet që deficiti të mbetet në kuotën e 2.9 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, ndërsa rritja ekonomike të sillet në rreth 2.2 për qind, në vend të parashikimit të parë prej 3 për qind. Po ashtu është paraparë shkurtimi i harxhimeve për 48.7 milionë euro, aq sa edhe i investimeve kapitale. Të gjitha projektet tjera infrastrukturore do të realizohen sipas dinamikës së paraparë. Sipas propozimit të financave, të ardhurat janë paraparë në shifrën e rreth 3 miliardë euro kurse shpenzimet në 3.300 miliardë euro.

“Rishikimi është një arsye apo një rast i mirë dhe mundësi për të nisur me realizimin e projektimeve të Qeverisë së re. Buxheti ishte miratuar në tetor të vitit të kaluar, përkundër kundërshtimeve të LSDM-së se buxheti duhet të miratohet nga Qeveria e re, por VMRO-ja nuk mori parasysh vërejtjet tona dhe miratoi buxhetin me projektime sipas interesave të saj politike, dhe jo nevojave të qytetarëve apo interesit shtetëror”, thotë Petre Shilegov nga Lidhja Social Demokrate.