Kandidati për Rektor i  Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot përpara stafit akademik, stafit administrativ dhe studentëve, e prezantoi Platformën programore të tij për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Gjatë prezantimit, ai shpalosi detaje të programit, strategjinë arsimore – shkencore,  si dhe vizionin për zhvillimin dhe përparimin e mëtutjeshëm të Universitetit të Tetovës.

Ai tha se fokusimi në të ardhmen mbetet si prioritet kryesor i tij. “Strategjia jonë në mandatin e ardhshëm do të konsistojë në avancimin e vlerave akademike dhe profesionale, stimulimin e stafit akademik dhe të ekselentëve, krijimin e një ambienti mësimor dhe shkencor të nivelit botëror, konsolidimin e Universitetit dhe të gjitha njësive akademike, si në rrafshin infrastrukturor ashtu edhe në rrafshin akademik dhe profesional. Mbështetjen e procesit krijues të klasës tonë akademike dhe studentore, por edhe të komunitetit më të gjerë, mbrojtjen e gjuhës dhe shkrimit shqip në UT me vendim të Këshillit të Rektoratit dhe Senatit, promovimin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, por edhe diversitetin etnik në Republikën e Maqedonisë, përkthimin dhe përurimin e veprave me interes shoqëror dhe kombëtar, rrjetëzimin ndërkombëtar të universitetit, rritjen e fondeve përmes hulumtimit, projekteve shkencore dhe shërbimeve profesionale, pajisjen e laboratorëve hulumtues dhe eksperimentalë, indeksimin e revistave në databazat e njohura ndërkombëtare, projektimin e programeve në bazë të kërkesës së ekonomisë së tregut dhe strategjive afatgjate për një universitet të qëndrueshëm dhe reziston karshi ndryshimeve dhe sfidave shoqërore, kultivimin vlerave etike, barazisë, integritetit, tolerancës dhe përgjegjësisë sociale, me qëllim të formimit të studentëve si qytetarë pjesëmarrës aktivë në shoqëri multikulturore, përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të komunikimit të brendshëm zyrtar, përcjelljen e vazhdueshme të cilësisë së procesit mësimor – shkencor, përforcimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të praktikës së studentëve, evaluimin permanent të stafit akademik dhe administrativ, evaluimin e studentëve që kanë diplomuar në UT dhe që janë punësuar në institucione shtetërore, private dhe që udhëheqin kompanitë e tyre, si dhe punësime të reja, duke filluar nga punëtorët teknikë dhe profesionalë, asistentë dhe mësimdhënës”, tha Prof.Dr. Vullnet Ameti.

Ai, po ashtu tha se do të angazhohet edhe për krijimin e një ambienti mësimor dhe shkencor të nivelit botëror. “Për ta plotësuar mozaikun akademik janë paraparë shumë e shumë risi, të cilat do ta përmirësojnë dukshëm jetën e komunitetit akademik të Universitetit të Tetovës, siç do të jenë: Ngritja e një konvikti studentor me kushtet më bashkëkohore, ndërtimi i bibliotekës universitare, ndërtimi i objektit të Fakultetit të Mjekësisë, mbindërtimi i objektit të Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ndërtimi i objektit të instituteve, hapja e mensës universitare, hapja e librarisë universitare, ndërtimi i kopshtit për fëmijë, themelimi i një televizioni dhe radioje universitare, krijimi i filarmonisë universitare, krijmi i një studioje të gazetarisë, themelimi i një reviste javore universitare, ngritja e parkut teknologjik – eksceleratorëve teknologjik, ngritja e një teatri antik, ngritja e një salle të improvizuar të gjykatës për studentët e Fakultetit Juridik, ndërtimi i një stadiumi me shtigje të atletikës, ndërtimi i një pishine për nevojat e studentëve dhe më gjerë, si dhe ndërtimi i sallës së fituesit”, theksoi Prof.Dr.Vullnet Ameti.

Ai, më tej shtoi se rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe themelimit të disa fakulteteve, qendrave, instituteve dhe shoqatave të ndryshme kulturore – artistike dhe sportive. “Gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, planifikohen të themelohen këto fakultete dhe programe studimore, si: Fakulteti i stomatologjisë, Fakulteti i shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike, Fakulteti i veterinës, programi studimor për Inxhinieri të sistemeve energjetike, programi studimor për gerontologji, Programi studimor për teknologji dhe robotikë, si dhe hapja e programeve të masterit dhe studimeve të doktoratës në të gjitha njësitë akademike të Universitetit, shndërrimi i spitalit klinik të Tetovës në klinikë universitare, themelimin e departamenteve në Fakultetin e Mjekësisë, si: paraklinik, intersnistik, kirurgji dhe shëndet publik. Gjithashtu është paraparë edhe themelimi i shoqërtisë kulturore – artitistike të Universitetit, themelimi i lidhjes sportive universitare, themelimi i klubeve sportive të futbollit, hendbollit, basketbollit, volejbollit, volejbollit të plazhit, mundjes dhe karatesë. Ndërsa me qëllim të nxitjes së procesit hulumtues, është planifikuar edhe hapja e disa instituteve dhe laboratorëve shkencorë, siç janë: Instituti për mësim gjatë gjithë jetës (long – life studying), Instituti i historisë, kineziologjisë, instituti për hulumtime ekonomike dhe biznesore, i cili kryekëput do të merret me analizimin e indeksit dhe progresit ekonomik dhe do të ideojë programe afatgjate për mbarështimin ekonomik në vend, Instituti i bioteknologjisë, Instituti i teknologjisë ushqimore, Instituti i agrobiznesit dhe prodhimtarisë bimore, Instituti për mbrojtjen e bimëve dhe teknikave bujqësore, Instituti bioteknologjisë anomale, Instituti për studime ballkanike, ku fokus i veçantë do t’i jepet kultivimit dhe promovimit të gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, si dhe raportit me gjuhët dhe kulturat tjera. Për një ambient të frytshëm shkencor nevojiten edhe laboratorë modernë dhe krahas 15 laboratorëve që i kemi ngritur në mandatin e kaluar, për mandatin e ardhshëm kemi planifikuar investime të metejme në ngritjen e laboratorëve hulumtues shkencorë, si laboratorin e kriminalistikës, laboratorin e sistemeve mekatronike, laboratorin e kontrollit të proceseve të robotikës dhe laboratorin e biomekanikës së lëvizjeve të njeriut”, u shpreh mes tjerash Rektori Prof.Dr.Vullnet Ameti.

Sipas tij, ndërkombëtarizimi i Universitetit ka qenë njëri ndër prioritetet kryesore të mandatit të kaluar dhe në këtë drejtim  janë arritur rezultate të shkëlqyeshme duke marrë parasysh të kaluarën e Universitetit, por se e njëjta gjë do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm. “Synimi ynë është të hapim shtigjet e një arsimi global, i cili konsiston në krijimin e një tregu divers akademik dhe studentor, duke krijuar edhe fonde të posaçme për tërheqjen e profesorëve dhe studentëve të  talentuar nga e gjithë bota, ndërkombëtarizimin e kurrikulave tona dhe rishikimin e të gjitha programeve studimore, praktikave studentore, me qëllim të aftësimit sa më të madh të studentëve tanë dhe përshtatjen e tyre me ekonominë e tregut, ruajtjen e strukturës multietnike në radhët e profesoratit dhe studentëve, me qëllim të mësimit nga njëri–tjetri dhe sheshimin e paragjykimeve shoqërore, rritjen e kuotave studentore për studentët e huaj, stimulimin e vazhdueshëm të mobilitetit të stafit akademik dhe komunitetit studentor dhe mbështetjen e tyre gjatë fazës së post mobilitetit, shfrytëzimin e fondeve ndërkombëtare hulumtuese me partnerët tanë strategjikë, me qëllimin e përfitimit sa më të madh të profesoratit dhe studentëve tanë. Rëndësi të veçantë kështu do t’i jepet edhe bashkëpunimit të ngushtë me ambasadat e shteteve perëndimore në vend, me qëllimin e vetëm që të ndikojnë në përforcimin e demokracisë në vend dhe përmirësimin e kushteve studentore përmes realizimit të praktikave të shëndosha universitare”, nënvizoi Rektori Prof.Dr.Vullnet Ameti.

Kandidati për Rektor i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti, njëherit Rektor aktual i UT-së, para profesorëve dhe studentëve tha se në mandatin e ardhshëm do t’i jepet rëndësi respektimit të mendimit kolegjial, studentor dhe rregullativave statutare dhe ligjore, si dhe do të bëhet harmonizimi i plotë i misionit të Universitetit me nevojat e përgjithshme shoqërore.

Prezantimi i Platformës programore të kandidatit për Rektor të Universitetit të Tetovës, Prof.Dr.Vullnet Ameti, u realizua në kuadër të procesit për zgjedhjen e Rektorit, në përputhje me vendimin e Këshillit të Rektoratit dhe Senatit të Universitetit për fillimin e procedurës për zgjedhjen e Rektorit të Universitetit të Tetovës. Përveç Prof.Dr.Vullnet Ametit, në garë për Rektor të UT-së është edhe Profesori i Fakultetit Ekonomik, Prof.Dr. Alifeta Selimi, aktualisht Prorektor për Financa në UT.