...shpejt dhe ndryshe...

Sekt i një feje të panjohur apo llozhë masonike?

Eroll Velija

Më 30 Prill 2004 gazeta “Albania” na bëri shumë kureshtarë me shkrimin “Njëzet deputetë, sekt fetar në Tiranë”, ku përshkruhej një ritual i çuditshëm fetar që vazhduaka prej dy vitesh çdo ditë të Enjte në “Vila Goldi” në Tiranë. Pra është mbajtur kaq gjatë sekret një gjë për gazetat tona të “sensacionit pa kufi” dhe gazetarët tanë të shumtë “gjuetarë skandalesh” e “urithë sekretesh”.
– Më 30 Prill 2004 gazeta “Albania” na bëri shumë kureshtarë me shkrimin “Njëzet deputetë, sekt fetar në Tiranë”, ku përshkruhej një ritual i çuditshëm fetar që vazhduaka prej dy vitesh çdo ditë të Enjte në “Vila Goldi” në Tiranë. Pra është mbajtur kaq gjatë sekret një gjë për gazetat tona të “sensacionit pa kufi” dhe gazetarët tanë të shumtë “gjuetarë skandalesh” e “urithë sekretesh”.

Në këtë ritual me rregulla të forta asketizmi pjesëmarrësit pikan vetëm ujë e kafe, (jo alkool që të sjell në qejf), nuk bëkan as biseda për politikë e për femra (që për mjedisin e mendësitë shqiptare të shtyjnë të vesh dorën në kobure). Nuk dihet për çfarë bisedohet në ato tubime që pjesëmarrësit i paraqesin si imitime të përjavëshme të praktikës amerikane të “Mëngjesit të lutjeve” që në Amerikë organizohet një herë në vit. As sekretzhbiruesja nga “Albania” nuk ka arritur të hyjë në thelbin e sekretit të “Vilës Goldi”. Ajo vetëm ka theksuar se pjesëmarrësit e këtij “Sekti” që i falen një Perëndie të vetme, por që nuk dihet sipas cilës fe, sepse pjesëmarrësit janë të feve të ndryshme që praktikohen në Shqipëri, janë të gatshëm të tregojnë për çfarë nuk flitet dhe jo për çfarë flitet në seancat e tyre të kafe-ujë-pirjes, të meditimit dhe të bëlbëzimit paqsor me njëri tjetrin, ndonëse në politikë janë edhe armiq të papajtueshëm midis tyre.

Në fillin lajmi na u duk si një shaka e përgatitur ndoshta për t’u botuar 3 javë më parë, më 1 Prill. Por kur pamë emrat e fotot e pjesëmarrësve, personalitete të rëndësishme dhe me role të spikatura në politikën shqiptare, në parlamentin shqiptar ku përfaqësojnë forca të ndryshme politike, filluam të dyshojmë mos kishte diçka të vërtetë. Nuk është mirë të bëhet shaka duke përmendur si pjestarë punësh të fshehta emrat e Namik Dokles, Ritvan Bodes, Besnik Mustafajt, Pjetër Arbnorit, Robert Çekut, Arben Malajt, Neritan Alibalit. Pandeli Majkos, Fatmir Mediut, Leonard Demit (shumë enigmatik se nuk është deputet si të tjerët) Ilir Zelës, Marko Bellos, Fatos Bejos.

Megjitathë urtia më e zakonshme mëson se në të tilla punë duhet pritur të dalin më shumë elementë para se të krijosh bindjen tënde se çfarë po ndodh. Mirëpo sensacioni i “Albania-s” humbi si “sh… a e pulës”. Në asnjë gazetë tjetër nuk kemi gjetur ndonjë lajm plotësues apo koment. E pra gazetat nuk të falin kur ka raste për të bërë gallatë. Pra dikush është kujdesur të japë orientimin se gallatë nuk duhet bërë, aq sa duhej u shpalll. Asnjë televizion nuk na bëri ndonjë emision. As “Fiks Fare” nuk e fiskoi fare vemendjen mbi “sektin fetar të fshehtë” në “Vilën Goldi”. As ato programet tjera që mezi presin tema për zhurmë për sherr nuk u interesuan. Ky qëndrin në vend që të na bindë se ishte një gjepur ajo që shkroi “Albania” të bën të dyshosh më shumë se ka diçka në këtë mes, sepse atje ku del tym do të ketë patjetër edhe zjarr.

Po çfarë të jetë vallë kjo “shoqëria sekrete” që u mbledhka në “Vilën Goldi”? Sekt fetar i panjohur apo “Llozhë masonike” që nuk do të bëhet më shumë e njohur se aq sa ka zbuluar për gazetën “Albania”? Duke mbajtur parasysh anëtarët e bërë të ditur më e besueshme është se kemi të bëjmë me njëfarë “lozhe masonike”, ndoshta eksperimentale, sepse me politikë merren të tilla lozha.

Në Shqipëri tashmë janë huazuar të gjitha format e jetës së vendeve të përparuara, lojrat e fatit, klubet e natës, shtëpitë publike sekrete, prostitucioni i rrugës, firmat piramidale, organizmat mafioze, sektet fetare, vrasësit me pagesë, OJQ-të, klubet misterioze, intstitucionet e shërimit nëpërmjet magjisë, falltoret etj. etj. Pse të mos ketë edhe “llozha masonike”?! Pastaj masonëria është një veprimtari sekrete shumëshekullore dhe ka njëfarë tradite në çdo vend.

Në vitet 1979 dhe 1981 më ka takuar të kaloja disa javë në Gjenevë për të marrë pjesë në sesionet e Konferencës së OKB-së për të drejtën e detit. Një herë hyra në një shitore të vogël orësh ku mësova se pronari ishte një hungarez i ikur nga vendi i tij në kohën e Revolucionit të vitit 1956. Na ngjiti biseda dhe për politikë. Pas dy vitesh shkova në të njëjtin vend, afër stacionit të trenit në qendër të qytetit dhe atë nuk e gjeta. Dikush më orientoi se kishte marë dyqan në vend më të mirë dhe e takova përsëri, edhe për të blerë orë, edhe për të kaluar disa minuta me muhabet.

Kur hyra unë ai kishte përpara mbi banak një libër shumë të trashë në gjuhën frenge me titull “Shoqëritë sekrete të Europës”. E ngacmova: ‘”Ti përpiqesh të bësh tregti apo të kalosh kohën me libra të çuditshëm”. Pasi më ftoi të pinim një birrë në banakun e dyqanit filloi të më tregonte vlerën e librit për të kuptuar se si bëhet politika në botë. Më numroi disa presidentë e kryetarë qeverishë në Europë që ishin masonë dhe që në ato poste kishin mbërritur me ndihmën e”llozhave masonike”. Kur i thashë se unë isha nga një vend ku as kishim probleme të tilla as e dinim ç’është kjo masonëria ai m’u përgjgj: “Gabohesh shumë. Edhe në Shqipëri ka masonë. Para dy ditësh këtu në dyqanin tim kanë hyrë dy shqiptarë. Njeri nga ta ishte mason”. Kur e pa se mua më dukej se fliste kot vazhdoi: “Besomë mua. Ne masonët kemi shenja që e njohim njeri tjetrin kudo, edhe kur takohemi rastësisht”. Kur kam parë në Arkivin Shtetëror disa vite më vonë kartat e anëtarsmit të një intelektuali shqiptar të fillimit të shekullit XX N.I. fillova të mendoj se mos hungarezi më kishte thënë një të vërtetë.

Por nuk mbetet vend për të dyshuar kur lexon libra të tillë si “Komploti botëror” i Nikolla Nikollovit (SHBA, 1991, përkthyer edhe në shqip), “Revolucioni francez vepër e masonërisë”, i Karlo Alberto Anjoli (botim italisht i vitit 1994) dhe sidomos librin me titull ” Sundimi nëpërmjet sekretit” shkruar nga Xhim Marrs e botuar në SHBA në vitin 2000. Në këto libra flitet për shoqëritë sekrete ose gjysmë-sekrete të sotme që komandojnë ekonominë, financat politikën, diplomacinë, deri shkencën e psikologjinë shoqërore. Në këto libra tregohet se 300 banka e shoqëri shumëkombëshe komandojnë zvillimet në botë dhe qeveritë janë më shumë kuklla. Në këto libra shtjellohet mendimi si mekanizma të tilla jo zyrtare, po gjithsesi të njohur publikisht, si “Komisioni Trilateral”, “Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë” (që boton revistën me emër të madh “Forenj Aferz ” në SHBA) dhe “Klubi i Billderbergëve”( më i fshehti nga të tre) janë qendrat ku përpunohen drejtimet e politikës ndërkombëtare, ku farkëtohet diplomacia, ku përzgjidhen drejtuesit më të rëndësishëm politikë në botë e në vende të veçanta.

Prej këtyre tre mekanizmave që veprojnë me paratë që u vihen në dispozicion nga Fondacione që krijohen nga Rotshildët, Rokfelerët, Morganët e të tjerë miliarderë nga vende të ndryshme funksionojnë pastaj rrjete të panumërta institucionesh kërkimore, studimore, planifikuese, programuese, reklamuese për politkë, diplomaci, demokraci, financë, propagandë e përpunim opinioni në të gjithë botën. A nuk vemë re edhe këtu në Shqipëri sa shumë emra institutesh të çështjeve politike, diplomatike, ekonomike, demokratike etj përmenden nëpër gazeta, nëpër seminare!. Zakonisht përmendet emri i një “drejtori” dhe nuk merret vesh më se cili punon me atë drejtor, kush paguan për këtë drejtor dhe institutin e tij të vërtetë apo fantazëm. Tani kemi dhe një “Klub 2002” që nisi me shumë bujë, por ka heshtur qysh kur na dha ca analiza për fenë e për terrorizmin islamik.

“Albania” e datës 30 Prill na shtiu xixat e kërshërisë me lajmin për “sektin fetar” të “Vila Goldi”. Më vonë kush e di çfarë mekanizmi i paditur, çfarë klubi i padëgjuar, instituti i pa imagjinuar do të bëhet i njohur mbasi të ketë funksionuar disa vite në fshehtësi. Por edhe me kaq sa dimë duhet të bindemi se rrjetet e shoqërive sekrete që veprojnë nëpër botë i kanë zgjatur fijet e tyre dhe në vendin tonë. Prandaj jemi kështu si jemi. Prandaj njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit. Prandaj ka një inflacion kaq të madh partishë e aleancash partiake që nuk zënë kurrë vend. Prandaj ka një inflacion kaq të madh gazetash që shkruajnë gati të njëjtën gjë. Ama titujt e gazetave janë nga më të larmishmit dhe shpesh pa kuptim specifik që të përcaktojë profilin e fizionominë e gazetës. Kishim plot gazeta të të njëjtës fizionomi e profil. Më 9 Maj 2004 këtyre u është shtuar edhe një tjetër me emrin “Metropol” që nuk do të thotë asgjë këtu në Shqipëri. Gazeta re duhet uruar t’i shkojë mbarë, por qysh në numrin e parë na u duk sikur e kishim lexuar me kohë.

Tani vila e lokale luksoze janë bërë shumë, madje dhe lokale enigmatike. Kështu që duhet të presim të na dalin edhe më “sekte” të përbërë nga politikanë, pushtetarë, biznesmenë, të ndershëm e mafiozë. Mbase nëpër këto sekte, klube apo lozha të kompromentuarit në politikë e veprimtari mafioze arrijnë të përmirësohen e moderohen ndopak, të fshihen më lehtë duke qenë dhe në shoqërinë e disa më të ndershmëve ose leshkove.

Një gjë është e padiskutueshme; partitë kanë marrë fund, janë bërë si vitrina të pluhurosura ku qëndrojnë manekinët pa vlerë. Mallrat me njëfarë vlere mbahen nën banakë. Kurse tregtarët e vërtetë rrinë pas perdeve. Janë sektet si ai i “Vilës Goldi” që bëjnë pazaret për mallrat e konsumit të zakonshëm dhe përgatisin skenarët e teatrit të rëndomtë që luhet në sallën e parlamentit. Por ka sekte më të fortë se ai i “Vilës Goldi” që përcaktojnë se çfarë do të bëhet m e mallrat e luksit, si do shkojnë pazaret edhe në “Vilën Goldi”.

Edhe sikur e gjitha ajo që lexuam në “Albania” për “Vilën Goldi” të jetë fantazi, shaka e trillim nga ato që ka bërë herë pas here Ylli Rakipi, dukuria ekziston në vila të tjera.