Kur, politika dhe mafia janë një

Shkruan: Azem Parllaku

Ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë thirrje VMRO-DPMNE-së, t’i ndalë veprimet penguese që e zgjatin krizën politike në Maqedoni, në anën tjetër, protestuesit, të cilët janë mbështetës të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, kanë hedhur parulla kundër Bashkimit Europian, për shkak se po bën presion për krijimin e qeverisë së re të LSDM-së e shqiptarëve. Nikolla Gruevski, një politikan tipik ballkanas nuk e ka problem t’a djegë shtetin për interesa personale. Dhe këtë e bën, mbasi mafia e tij e pardesyzuar me partinë e kapur politike VMRO, beson gjithçka rreth tij si artificiale; statujat, identitetin, shtetin monoetnik etj. Edhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili refuzoi të takohet në Shkup me politikanin suedez, Carl Bildt, që është bashkëkryesues i Këshillit Europian për Marrëdhënie të Jashtme, dëshmoi sërish se, është frymëzues i grupeve paramilitare, i popave me kallashnikovë dhe komitëve të çartur, të gatshëm për luftë. Janë falangat e Gruevskit dhe Ivanovit protestuesit kundërshtarë të koalicionit qeverisës mes LSDM-së dhe partive politike shqiptare. Ata kërcënojnë përpjekjet e shumicës së re parlamentare për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në mbarë vendin e në të gjitha nivelet e administratës shtetërore. Siç pritej këtë javë, ata kërkuan edhe zgjedhje të reja, për të pamundësuar krijimin e një qeverie që do të plotësonte kërkesat e shtruara në deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare, të cilat, përveç përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, kërkojnë edhe më shumë investime në rajonet e banoara me shumicë shqiptare, si edhe përfshirje më të madhe e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Kur, Partia që ka qeverisur për vite me radhë, VMRO-DPMNE, e ka bllokuar formimin e koalicionit të ri qeverisës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë, i’a ka arritur qëllimit, të çorientojë popullin maqedonas. Kjo çoroditje është produkt i asaj sesi maqedonasit si popull, nuk arritën dot të vlerësojnë dhe selektojnë historinë ashtu siç duhet. “Politika dhe mafia janë dy fuqi të cilat veprojnë në të njëjtin territor; ato ose do të luftojnë me njëra-tjetrën ose do të arrijnë një marrëveshje”. Këto janë fjalët lapidar të thëna nga ish-prokurori Paolo Borsellino i vrarë barbarisht nga krimi i organizuar dy dekada më parë. Gruevski nëpërmjet pushtetit njëdekadësh vodhi shumçka. Vjedhjen e bëri në forma dhe mënyra të ndryshme, me ligj, me dhunë e me shantazhe. Tashmë ai po synon të vjedhë dhunshëm, Demokracinë, të vetmen që u ka mbetur qytetarëve të Maqedonisë. Në Maqedoni, politika dhe mafia janë një, ndaj shteti maqedonas, e ka të pamundur të tejkalojë ngërçet politike. Në një shtet ku, përçarjet e shumta dhe ku harmonina etnike është iluzion, mafia politike bën çmos që, njëra palë të provokohet. Në rastin e Maqedonisë kur, situata ende nuk është përflakur ka të bëjë me zgjuarsinë e gjithë tjerëve. Veçanërisht të shqiptarëve, të cilët nuk lejojnë të instrumentalizohen. Xhemal Ahmeti, analist para disa ditësh nënvizonte se; “Aspak nuk mund të asociojmë këtë sjellje të mençur me dy partitë politike si BDI dhe BESA. Njëra ende mban ministrat në qeverinë pseudoteknike të VMRO-së, e tjetra mezi pret të ikin të parët që t’i delegojë të vetët”. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit shqiptarët e Maqedonisë e avancuan statusin e tyre në krahasim me pozitën që kishin sipas kushtetutës të vitit 1991, mirëpo gjendja politiko-sociale e shqiptarëve të Maqedonisë ende është e pakënaqëshme, sidomos kur kihet parasysh mosrealizimi i plotë i vetë Marrëveshjes së Ohrit. Përçarjet dhe armiqësitë brendashqiptare në Maqedoni që, u evidentuan përgjatë kohës së qeverisjes së Gruevskit, e bënë të domosdoshme platformën e përbashkët të partive shqiptare. Më në fund politikanët shqiptarë në shtetin fqinj, e kuptuan se, fuqia politike e faktorit vendimarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq, kjo fuqi kishte ardhur duke u rritur falë mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve. Mirëpo, kur partitë shqiptare vendosën të ndryshojnë praktikat e koalicionimit me partitë maqedonase, dhe eliminimin e interesave klienteliste me prapavijë korruptive dhe kriminale brenda strukturave partiake dhe forcimin e bashkërendimit brendashqiptar, Maqedonia po djeg të gjitha resurset e veta për të ruajtur paqen, pasi shumicën politike e përbën jo politika por mafia e saj. Pranimin e platformës së partive shqiptare, mafia politike në Maqedoni e sheh si kapitullim të saj, njëherësh edhe të shtetit artificial. Një parti si WMRO dhe lideri i saj, që nuk pranon rregullat e demokracisë pluraliste, që shet e vjedh kapacitetet ekonomike të vendit, dhe që është e korruptuar, sigurisht e nxit pasigurinë. Krizës politike në Maqedoni nuk po i vjen fundi, por ajo ndodhet para shpërthimit edhe në aspekt të sigurisë, paralajmërojnë njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë. Kërcënimet e fundit të presidentit Gjorge Ivanov dhe të kreut të VMRO-së, Nikolla Gruevski, se nuk do të heqin asnjëherë dorë nga bllokimi i formimit të institucioneve të reja, për shkak të ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të Maqedonisë nga platformat e huaja, duke referuar deklaratën e partive politike shqiptare, që të mos bëhet pjesë e programit të ri qeveritar të LSDM-së dhe partive shqiptare. Madje, Gruevski ka thënë se, “në rast të ndonjë përpjekjeje që me forcë të merret pushteti, atëherë do të ndodhë populli”, një thirrje kjo që mban zgjuar taborin kriminal të ish-sistemit. Përplasjet e mëtejme mes forcave politike me orientim demokratik dhe properëndimor dhe strukturave kriminale të ish-sistemit, me orientim proserb dhe prorus, çojnë pashmangshëm në konflikt të hapur, me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen e vendit. Dhe që të mos ndodhë ky konflikkt, duhet lexuar porosia e Uashingtonit zyrtar se, politikanët duhet t’u japin fund obstruksioneve në të kundërtën do të përgjigjen për veprimet e tyre.Pavarësisht paralajmërimeve të faktorit ndërkombëtar si dhe vizitave të njëpasnjëshme të zyrtarëve më të lartë të Brukselit, presidenti Gjorge Ivanov nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij, për të mos i besuar mandatin liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Për shkak se politika dhe mafia luajnë në të njejtin terren, të tillë të marrëdhënieve mes aktorëve politikë në Maqedoni, sundon një pasiguri, ndërsa në opinion përflitet për skenarë të mundshëm të caktuar për dalje nga kriza politike, e cila u shndërrua në institucionale tashmë. Ajo që momentalisht po ndodh janë takimet mes përfaqësuesve të partive politike në të cilat mbahen konsultime, e të cilat do të duhet të sjellin deri te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe vazhdimi i punës së tij. Ndërkohë liderët politik dalin me qëndrime për dalje nga kriza institucionale. Nga njëra anë VMRO-DPMNE thekson se dalja nga kriza politike është hedhja poshtë e platformës së partive shqiptare dhe zgjedhje të reja parlamentare të cilat do të mbaheshin së bashku me ato lokale, ndërsa nga ana tjetër LSDM bën thirrje që t’i jepet mandate dhe të formohet Qeveria e re. BDI kërkoi përgjegjësi më të madhe politike të partive më të mëdha dhe zgjidhje që çojnë drejt daljes nga kriza në vend, ndërsa nga Lëvizja BESA theksojnë se nëse shpejtë nuk ka zgjidhje të krizës institucionale, ekziston rreziku i një konflikti etnik.