Strehimi i kafshëve të rrugës, shkupjanët u ndërtojnë shtëpi të përkohshme nga kartoni (VIDEO)


Temperaturat e ulëta përveç që kanë prekur njerëzit e pa strehë, ato po ndikojnë në mënyrë fatale edhe tek kafshët e rrugëve. Nëpër rrjetet sociale dhe nëpër rrugë janë parë qenë dhe mace që po luftojnë për mbijetesë. Bongo, është një qen i rrugëve i cili ka pasur fatin që të strehohet dhe të ushqehet nga një familje në këto ditë të ftohta dimri.

“U lajmërua projekti për të strehuar kafshët e rrugëve për shkak temperaturave të ulëta. Qeni I parë ishte para një jave, e ruajtëm diku 3 ditë por pasi nuk kam edhe aq vend kështu që vendosëm tua japim një familjeje, për tu kujdesur. Para dy ditëve e strehuam edhe një qen që kishte nevojë për ndihmë, ka 2 ditë që është me ne dhe është shumë I gëzuar, ndodh që edhe ta ruajmë përgjithmonë”, tha Marjana, qytetare.

Pas nismave të qytetarëve nëpër rrjetet sociale, shtëpi private, lokale dhe kompani të ndryshme hapën dyert për kafshët e pastrehë dhe i ngrohën në këto temperatura të ulëta. Iniciativa për të strehuar kafshët e rrugëve u morr si shembull nga Turqia dhe Greqia të cilët kishin bërë një gjest të tillë.

“Po, filluan spontanisht të vinë këtu në kafenenë dhe aty tek këndi ku është zjarri të ngrohen, e pastaj filluam ti strehojmë, tu japim për të pirë qoftë edhe ujë. Erdhi një mace me këmbën e lënduar kështu e dërguam deri tek një mik I imi ku e strehuan. Tani që është më ftohtë,  të paktën këto ditë mund të strehohen këtu tek ne”, u shpreh Sasho, pronar kafeneje.

Nesër, me iniciativë të qytetarëve, do të mbahet një aksion humanitar për tu ndërtuar dhe për tu siguruar kafshëve shtëpi strehuese të përkohshme. Qytetarët do të mblidhen tek Dhoma Publike ku do të ndërtohen shtëpiza me stiropor dhe kartuç, nga ora 17:00. Edhe Ndërmarrja Publike e Parkingjeve në Komunën Qendër dhuron materiale për të ndërtuar shtëpi strehuese për kafshët e pastrehë.