Kur Ramushi mbrohet vetë

Nga Azem Parllaku

Ishte pikërisht, vullneti, sakrifica dhe vizioni i drejtuesve të betejave si Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, ata që përgjatë viteve 1997-99 bënë protestën e madhe shqiptare për liri. Ata u organizuan dhe vepruan, duke patur parasysh traditën luftarake të popullit shqiptar, e të ndërgjegjësuar se kishte një fund. Lëvizja ushtarake në Kosovë, në vetvete ishte krejtësisht e një rryme idealistësh. Pa kontributin e bijëve e bijave të atij formacioni luftarak, Kosova sot nuk do të ishte e pavarur dhe as shtet, me orientime të qarta në rrugën e integrimit Euro-Atlantik. Ramush Haradinaj është njeriu i atyre idealeve të mëdha. Ramushi është luftëtari dhe Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nxori shqiptarët nga letargjia dhe iluzioni se, Liria, nuk mund të fitohej ndryshe përveçse me luftë. Luftëtar dhe Komandant, i asaj Ushtrie e cila, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin kombëtar, atë rajonal, pse jo dhe global. I asaj Ushtrie, që bëri aktivizimin e gjithë shqiptarëve kudo ishin, në projektin vizional të çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Serbia. I asaj Ushtrie, e cila në projektin dhe aktivitetin e saj çlirimtar, rrëzoi mitin sllav për pathyeshmërinë e ushtrisë serbe, ndërkohë nëpërmjet luftës që kreu, u thye dhe miti i kufijve shqiptarë. Lufta çlirimtare, ndikoi në rrëzimin e regjimit të Milosheviçit, duke çliruar përfundimisht popullin serb nga ky diktator. Nëpërmjet kësaj lufte, u hoq maska diskriminuese për shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, e në Malin e Zi. Ajo luftë, i dha një rol të madh e pozitiv Shqipërisë në zhvillimet demokratike rajonale e globale. Ka qenë kjo luftë, që çoi në test unitetin e NATO-s, dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Kjo luftë, shmangi dukshëm burokracinë e komplikuar të OKB-së, duke nxjerrë në pah rolin parësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si superfuqia e vetme dhe mbrojtëse e vlerave demokratike të njerëzimit. Kontribute të individëve si Ramushi dhe familjeve të tilla si ajo e tij, janë pasuri kombëtare, e si të tilla duhen vlerësuar. Ndaj, Ne sot “protestojmë” në mbrojtje të kësaj pasurie e kontributi. Mbajtja në kushtet e arrestit e Ramush Haradinajt, nxjerr në pah sesa një shtet si Franca, i ka të përditësuara vendimet e Gjykatës së Hagës e cila e ka liruar Haradinajn nga të gjitha akuzat, disa vite më parë. Në njëfarë mënyre, kjo është Europa e zhytur në burokraci, e Ne si qytetarë të saj të lirë, si shqiptarë të vuajtur, por të ndershëm, “protestojmë” për të vërtetën. Dhe e vërteta do të dalë në dritë shumë shpejtë, ajo është në anën tonë, është me Ramush Haradinajn. Ashtu sikurse, nuk duhet të harrojnë se; Gjatë fushatës së bombardimeve të kryera nga NATO mbi instalimet ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë, Franca ishte shteti që vendosi në dispozicion 20-40 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë për zbulimin e objektivave dhe transmetim të dhënash, avionë për furnizim me karburant në ajër, teksa mbajti në gatishmëri të pandërprerë luftarake Aeroplanmbajtësja “FOCH”. Franca është një prej vendeve të mëdha dhe të rëndësishme të Europës, e cila qysh në krye të herës e ka mbështetur Pavarësinë e Kosovës dhe e ka njohur Kosovën si shtet.