Fshatrat e Tropojës të izoluara nga dëbora, mungojnë ushqimet e ilaçet


Njësitë administrative, Nikaj- Merturi, Llugaj, Margegaj, Bytyçi, Bujan, Tropojë dhe Fierzë vazhdojnë të mbeten në pushtetin e dëborës dhe ngricave.

Afro 5 mijë banorëve që jetojnë në rreth 60 fshatra nuk u mundësohet qarkullimi me qendrat e këtyre njësive administrative dhe as me qytetin Bajram Curri për arsye të bllokimit nga akulli dhe për faktin se bashkia nuk i ka mjetet e duhura për ta përballuar këtë situatë emergjente për të gjitha akset dytësore.

Kryetarët e njësive administrative kërkojnë nga qeveria dhe emergjencat civile të mundësojnë ndërhyrjen për çlirimin e qarkullimit pasi nuk kanë të siguruar edhe bazën ushqimore si për familjet ashtu edhe për bagëtitë, raporton Ora News.

Problematike është situata me fëmijët dhe të moshuarit të cilët në presionin e të ftohtit dhe acarit, nuk u sigurohet ndihma mjekësore.