Lubomir Fërçkovski, një profesor maqedonas i drejtësisë, i cili ka qenë ministër i Brendshëm kur janë vrarë dhe torturuar shumë shqiptarë, ka fyer rëndë shqiptarët e Maqedonisë. Fërçkovski vazhdon të jetë eminencë gri e partisë socialdemokrate (LSDM). Si do të përgjigjen mbështetësit shqiptarë të LSDM-së ndaj fjalorit vulgar e ksenofob të Fërçkovskit? Dhe a do ta ftojë Top Channel në Tiranë si mysafir këtë gojëndyrë nga Shkupi?

Si gjithkund në Ballkan edhe në Maqedoni politika është një arenë e polemikave të ashpra, e luftës gati të pamëshirshme për pushtet, e fushatave të egra dhe ofendimeve kolektive dhe personale. Në këtë mes nuk dallojnë aq as shqiptarët, si popullsia e dytë për nga numri, pas maqedonasve sllavë. Sidomos në fushatën para zgjedhjeve të fundit parlamentare mes katër partive shqiptare janë shkëmbyer fjalë të rënda, akuza, shpifje, kërcënime, denoncime.

Zgjedhjet në Maqedoni fatmirësisht kaluan pa tensione të mëdha, por ato nuk nxorën një fitues të qartë. Partia konservatore VMRO-DPMNE dhe partia socialdemokrate LSDM kanë marrë numrin pothuaj të barabartë të mandateve: 51 me 49. Duke pasur dy mandate më shumë se opozita socialdemokrate, kryeministri shumëvjeçar dhe i kontestuar Nikola Gruevski ka nisur përpjekjet për të krijuar qeverinë e re. Mandatin për këtë e ka marrë nga presidenti i vendit.

Ndërkohë partitë shqiptare, pas takimeve në Tiranë me kryeministrin Edi Rama dhe në Prishtinë me kryetarin Hashim Thaçi, dolën me një platformë të përbashkët, e cila përmban disa kërkesa si kushte për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë. Thënë shkurt: shqiptarët me platformën e tyre kërkojnë të jenë të barabartë në shtetin e tyre, të cilit ia paguajnë taksat.

Kjo platformë ka ngjallur reagime të ndryshme në Maqedoni, kryesisht ksenofobe. Ndërsa Gruevski supozon se pas platformës së shqiptarëve qëndrojnë «të huajt» (diplomatët e BE-së dhe ata të Washingtonit), Lubomir Fërçkovski, një profesor maqedonas i drejtësisë, i cili konsiderohet si eminencë gri e socialdemokratëve të Zoran Zaevit, e ka ndotur opinionin publik me komente vulgare dhe me një fjalor fashist antishqiptar.

Në një artikull të botuar në portalin maqedonas libertas.mk Fërçkovski në stilin e një pijaneci të kafehaneve më të ndyra ballkanike, ka shkruar: «Qijani nënën, vëllezër shqiptarë. S’keni mundur ta bëni më mut». Fërçkovski e ka fjalën për platformën e partive shqiptare. Domethënë kërkesa e shqiptarëve për barazi politike dhe gjuhësore në Maqedoni, për shanse të barabarta në jetën publike, për ndarje korrekte të buxhetit, për përfaqësim të denjë në administratën publike merituaka, sipas Fërçkovskit, vetëm një batare me fyerje nga përfaqësuesi i kombit suprem maqedonas, i cili shqiptarët autoktonë i konsideron mysafirë në Maqedoni.

Fyerjet e Fërçkovskit nuk marrin fund këtu. Ai i quan «prijës fisesh» liderët politikë shqiptarë, të cilët nënshkruan platformën politike pas zgjedhjeve. Nëntoni i kësaj gjuhe të politikanit maqedonas është ky: shqiptarët na qenkan si disa fise afrikane pa vetëdije kombëtare, pa kulturë, pa ide për shtetin, pa kureshtje për kulturë, arsim, mirëqenie. Fërçkovski e quan platformën «parazitizëm të shqiptarizmës». Përkthyer në gjuhë të kuptueshme kjo i bie: shqiptarët, këta parazitë, s’kanë të drejtë të kërkojnë asgjë, mjafton që i lëmë të marrin frymë në «shtetin tonë». Nuk thuhet rastësisht se më e poshtër se ksenofobia e politikanëve të djathtë është vetëm ksenofobia e majtistëve, të cilët hiqen si liberalë dhe në fund heqin maskën.

Fërçkovski, në të vërtetë, ndaj shqiptarëve ka vepruar përherë pa maskë, si nacionalist i egër dhe i dhunshëm, por mbi të gjitha si shtypës i të drejtave të tyre.

Lexueseve duhet kujtuar këtu në mënyrë telegrafike biografia politike e Lubomir Fërçkovskit. Ai ishte ministër i Brendshëm kur në vitin 1992 në lagjen Bit Pazar të Shkupit u vranë tre shqiptarë dhe një grua maqedonase. Këta qytetarë u vranë nga të shtënat e pakontrolluara të policisë maqedonase në lagjet e banuara me shqiptarë. Fërçkovski ishte ministër i Brendshëm kur më 1994 populli shqiptar i Tetovës dhe më gjerë doli në demonstrata në kërkim të së drejtës për shkollim në nivel universitar. Me atë rast policët maqedonas, shefi i të cilëve ishte Fërçkovski, terrorizuan qindra qytetarë dhe vranë të riun Abdylselam Emini. Paramendojeni: një profesor universiteti urdhëron policinë të masakrojë qytetarët që kërkojnë universitet.

Sipas njohësve të mirë të asaj periudhe policia – ndërsa shef e kishte Fërçkovskin – inskenoi një incident në fshatin Ladorishtë të Strugës me të vetmin qëllim: keqtrajtimin e banorëve shqiptarë. Fërçkovski ishte ministër i Brendshëm kur gjatë viteve 1993-95 me afera të sajuara u burgosën shumë funksionarë të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe kështu filloi fragmentarizimi i bllokut politik shqiptar. Nga kjo lëngatë shqiptarët nuk po mëkëmbën ende. Si profesor i drejtësisë Fërçkovski është njëri nga autorët e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë pas shkëputjes nga Jugosllavia. Në këtë ligj themelor shqiptarët u degraduan në pakicë kombëtare dhe Maqedonia u definua si shtet i maqedonasve sllavë. Në prag të arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Fërçkovski angazhohej për një betejë përfundimtare për mposhtjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ai nuk mund ta përfytyronte se Maqedonia e tij duhej t’u jepte shqiptarëve të drejtat që u takonin ndërsa në malet rreth Shkupit e Tetovës ende kishte vajza e djem shqiptarë të armatosur.

Si do të sillet dhe si duhet të sillet opinioni shqiptar në Maqedoni ndaj deklaratave të fundit të Fërçkovskit? Injorimi i këtyre fyerjeve me heshtje do të ishte fatal. Socialdemokratët maqedonas kanë marrë mijëra vota nga shqiptarët (mbase rreth 30 mijë), andaj gjuhën fyese të Fërçkovskit duhet ta dënojë jo vetëm Zoran Zaevi, por edhe ata shqiptarë që kanë vendosur të jenë pjesë e LSDM-së duke besuar mbase me naivitet se Zaevi dhe besnikët e tij vërtet i pranojnë shqiptarët si qytetarë të barabartë.

Tani duhet ta kapin veten për hunde edhe disa analistë shqiptarë të çarshisë së Shkupit, të cilët e kanë lartësuar dhe promovuar Fërçkovskin si personalitet liberal. Si të tillë madje e kanë futur (kontrabanduar?) edhe në studiot e televizionit të Tiranës, Top Channel. Këta mondialistë superliberalë shqiptarë, të cilët të qenmit shqiptar e shohin si një lloj zhuge, duhet të mbajnë qëndrim tani – ndaj Fërçkovskit dhe fërçkofskëve të tjerë.

Të gjithë e kemi të qartë sa politikan i mbrapshtë është Nikola Gruevski – si për maqedonas, ashtu edhe për shqiptarët nga Ohri në Kumanovë. Por sa dallojnë prej tij politikanët si Lubomir Fërçkovski, i cili vazhdon të ketë ndikim të madh në elektoratin e LSDM-së? Vërtet, cili është dallimi mes diktatorit të vogël Nikola Gruevski dhe ksenofobit të madh Lubomir Fërçkovski?

Deklaratat çmendurake të Fërçkovskit tregojnë se elitat politike dhe intelektuale maqedonase vazhdojnë të kultivojnë urrejtje ndaj shqiptarëve, duke i shikuar si «racë të ulët». Me sa duket maqedonasit – pa marrë parasysh në janë nacionalistë apo pseudoliberalë – nuk e kanë kuptuar ende se kanë kaluar njëherë e përgjithmonë kohërat kur shqiptarët në rajon i shikonin me nënçmim dhe mund t’i diskriminonin orë e çast nxënësit në Tetovë e Kumanovë, fshatarët në rrethinën e Strugës dhe politikanët lokalë vetëm për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar shqiptar. Nacionalistët maqedonas mund ta bënin këtë kur e kishin Jugosllavinë si forcë mbështetëse. Jo më!

Për maqedonasit sllavë nënçmimi apo hapja e konflikteve me shqiptarët mund të ketë pasoja fatale. Prej të gjithë fqinjëve të Maqedonisë shqiptarët dhe dy shtetet me shumicë shqiptare në Ballkan (Kosova dhe Shqipëri) janë treguar më dashamirëse ndaj maqedonasve sllavë. Nuk e kanë mohuar emrin e shtetit të tyre (siç bëjnë grekët), nuk e kanë kontestuar gjuhën maqedonase (siç bëjnë nacionalistët bullgarë), nuk janë tallur me kishën ortodokse maqedonase (siç bën kisha ortodokse serbe). Kur në vitet ’90 Greqia bllokoi portin e Selanikut për Maqedoninë, qeveria e Republikës së Shqipërisë hapi portin e Durrësit për nevoja të qeverisë së Shkupit. Fërçkovski dhe ksenofobë të tjerë të Maqedonisë duhet të ndjekin urgjentisht ligjërata te profesoresha Latinka Peroviq në Beograd. Ajo para disa vitesh u pati thënë serbëve se duhet të kenë kujdes dhe të punojnë për marrëdhënie sa më të mira me shqiptarët si fqinjët më të rëndësishëm. Sepse ka kaluar koha kur nacionalisti serbomadh Vaso Çubrilloviqi thoshte se nuk bëhet askush merak nëse ua djegim vatrat shqiptarëve, nëse ua mbysim bagëtinë dhe nëse i përzëmë në fushat e Anadollit. Ëndrra të tilla mund të shoh edhe Fërçkovski, por një ditë mund të zgjohet pa Maqedoninë e tij.

Të Ngjajshme